Një tjetër rast shqetësues është denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania, duke nxjerrë në pah një fenomen që duket se po merr përhapje në rrugët e Tiranës.
Një vajzë tregon se është përballur me një situatë të pazakontë pranë shkallëve të Stadiumi Air Albania, ku një grua i është afruar me pretekstin për t’i lexuar dorën. Edhe pse fillimisht e ka refuzuar, zonja ka këmbëngulur, duke i kapur dorën dhe duke e vënë në një gjendje hutimi përmes veprimeve të saj.
Në pak sekonda, situata ka marrë një kthesë tjetër: gruaja ka arritur t’i marrë paratë që vajza mbante në dorë dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmisë, dyshohet se ka tentuar të marrë edhe çantën e saj, por pa arritur.
Rasti hedh dritë mbi një formë mashtrimi që po shfaqet gjithnjë e më shpesh, ku persona të panjohur përdorin metoda manipulimi dhe shpërqendrimi për të përfituar para apo sende me vlerë nga qytetarët në mes të ditës.
Ky episod shërben si një sinjal alarmi për të gjithë, sidomos në zonat e frekuentuara, që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo kontakt me persona të panjohur që afrohen me justifikime të dyshimta. Në raste të tilla, reagimi i shpejtë dhe distancimi mund të bëjnë diferencën.