SPAK ka ndërmarrë një tjetër operacion kundër rrjeteve të mashtrimit me call center në Tiranë, këtë herë në zonën pranë rrugës “Sami Frashëri”. Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me autoritetet franceze, duke treguar shtrirjen ndërkombëtare të hetimeve dhe dyshimet se viktimat e skemës janë shtetas të huaj, kryesisht europianë.
Gjatë operacionit është shoqëruar të paktën një efektiv policie, ndërsa kontrollet vijojnë në disa ambiente të dyshuara si qendra mashtrimi. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet, por burime bëjnë me dije se hetimet lidhen me aktivitete të strukturuara kriminale që operojnë përmes skemave të investimeve apo shërbimeve të rreme.
Ky aksion vjen vetëm pak ditë pas një tjetër goditjeje të Policisë së Shtetit ndaj një rrjeti call center-ash që dyshohet se u ka zhvatur qytetarëve europianë rreth 50 milionë euro, ku 10 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim. Po ashtu, më herët gjatë këtij viti, SPAK çoi në pranga edhe 8 anëtarë të një grupi të ngjashëm që ushtronin aktivitetin në dy kulla luksoze në kryeqytet, duke konfirmuar intensifikimin e luftës ndaj këtij fenomeni.