Korrupsioni te AKSHI, Agasi, Beqiri dhe Linda hetohen për ryshfet, pastrim parash

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.04.2026, 13:04

Një skemë e dyshuar korrupsioni me përmasa të mëdha financiare është zbuluar rreth procedurave të prokurimit në AKSHI, ku në qendër qëndron Ergys Agasi përmes kompanisë së tij “EA Solution”. Sipas të dhënave hetimore, mbi 1.05 miliardë lekë (rreth 10.6 milionë euro) dhe mbi 470 mijë euro janë transferuar nga kompani të ndryshme drejt kësaj shoqërie, duke u paraqitur si pagesa për shërbime, por që dyshohet se në realitet kanë qenë ryshfete për të ndikuar në shpalljen e fituesve të tenderëve publikë.

Në këtë rrjet përmendet edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, për të cilën pretendohet se kishte lidhje të afërta me Agasin, ndërsa tashmë përballet me akuza që përfshijnë edhe pastrim parash. Hetimet janë zgjeruar duke përfshirë ish-nëndrejtorin Daniel Shima, si dhe Arjola Koromani, administratore e “Soft & Solution”, kompani në pronësi të Ermal Beqirit, i konsideruar si bashkëpunëtor i afërt i Agasit. Po ashtu, në listën e të hetuarve janë edhe Gentian Likaj dhe Emirton Suli.

Hetimet tregojnë se disa kompani si “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First”, në pronësi përkatësisht të Beqirit, Andis Papës dhe Gëzim Hoxhës, kanë kryer pagesa të konsiderueshme drejt “EA Solution”. Vetëm nga këto subjekte rezulton një total prej rreth 855 milionë lekësh dhe 470 mijë euro, të cilat dyshohet se janë dhënë si shpërblim për përfitimin e tenderëve të paracaktuar. Në disa raste, këto pagesa janë kryer përmes faturave fiktive për shërbime që nuk janë realizuar kurrë.

Një tjetër element i rëndësishëm është përfshirja e Elision Jorgjis, i lidhur me kompaninë “Albascan”, si dhe Migena Schroeder, përfaqësuese e AESS. Sipas dëshmive, kjo e fundit është përballur me presion dhe kërcënime nga Ermal Beqiri për të transferuar rreth 1.1 milionë euro drejt “EA Solution”, përmes kontratave të maskuara si shërbime konsulence në projektin “SmartLab 2”. Pagesat janë strukturuar në mënyrë të fragmentuar për të shmangur kontrollin financiar.

Përveç transfertave monetare, hetimet kanë zbuluar edhe përfitime në natyrë, si verëra luksoze me vlerë mbi 950 mijë euro, të cilat janë gjetur në një vilë të lidhur me Agasin. Sipas të dhënave, këto produkte janë siguruar përmes kompanive të lidhura me Andis Papën dhe janë porositur shpesh nga Arjola Koromani, duke u konsideruar si formë shpërblimi për favore në tenderë. Importet kanë arritur vlera mbi 1.1 milionë euro në një periudhë njëvjeçare.

Në total, hetuesit dyshojnë për një strukturë të organizuar kriminale që ka përdorur kompani si “EA Solution” për të kanalizuar dhe “legalizuar” ryshfetet përmes faturimit fiktiv. Akuzat përfshijnë korrupsion aktiv dhe pasiv, shkelje të barazisë në tendera, pastrim parash dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ndërkohë, janë sekuestruar dhjetëra pasuri dhe llogari bankare me vlerë rreth 40 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit