Shqiptari hyn i armatosur në shtëpinë e fqinjit, plagos kujdestaren dhe sfidon policinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.04.2026, 12:13

Një 50-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Dritan Qafa, është arrestuar dhe akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur të hënën pasdite në via Gravellona, Itali.

Sipas hetimeve, ai u paraqit në banesën e një fqinji i armatosur me një pushkë gjahu kalibër 12, e cila rezultonte me numër serial të fshirë.

Në vendngjarje, 50-vjeçari fillimisht ka ushtruar dhunë fizike ndaj pronarit të shtëpisë, një 75-vjeçari, dhe më pas ka qëlluar dy herë me armë drejt kujdestares së tij, 63 vjeçe, e cila po kujdesej për të prej rreth një muaji.

Gruaja ka arritur të mbrohet pjesërisht, por është dëmtuar nga copëza xhami pas thyerjes së derës. Ajo është transportuar menjëherë në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është dërguar në banesë.

Më vonë, ajo është rikthyer në të njëjtën banesë në Via Gravellona, ku autori i dyshuar ndodhej ende i mbyllur brenda. Pavarësisht përpjekjeve të policisë për negociim, ai nuk është dorëzuar për disa orë.

Në mbrëmje, forcat speciale ndërhynë në operacionin e arrestimit. Pas përdorimit të një granate tymuese dhe hapjes me forcë të derës, efektivët e neutralizuan 50-vjeçarin me pajisje elektrike paralizuese dhe e nxorën nga banesa.

Policia ka sekuestruar armën e përdorur, e cila po i nënshtrohet ekspertizës. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet se autori ka përmendur vështirësi personale dhe probleme shëndetësore mendore, përfshirë depresionin. Ai rezulton gjithashtu me precedentë penalë.

Pas arrestimit, Dritan Qafa është dërguar në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit