Seanca e radhës ndaj Laert Haxhiut u zhvillua këtë të mërkurë, ku mbrojtja e tij kërkoi thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve, duke argumentuar se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për sqarimin e plotë të çështjes. Vetë i pandehuri nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, pasi mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë.
Në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, avokatët kërkuan që të dëshmojnë Bashkim Rajku dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur si “Cllevio”, i ekstraduar disa muaj më parë nga Dubai. Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që procesi i marrjes së provave të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.
Seanca e radhës është caktuar për 29 prill në orën 08:30, ndërsa mbetet e paqartë nëse Haxhiu do të përballet në GJKKO me ish-bashkëpunëtorin e tij. 32-vjeçari akuzohet për disa vepra të rënda penale dhe njihet si një nga organizatorët e masakrës së Lushnjes në vitin 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë.