Një i burgosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm pasi është ndjerë keq në burgun e Fierit. Viktima është 69-vjeçari Luan Bundo, i cili vuante dënimin në këtë institucion që prej 6 gushtit 2021, pasi ishte transferuar nga burgu “Jordan Misja”.
Sipas informacioneve paraprake, Bundo kishte disa probleme shëndetësore dhe ishte nën trajtim për sëmundje të ndryshme, përfshirë hipertensionin arterial, diabetin, hipertrofinë e prostatës, çrregullime ankthi dhe hiperuriceminë. Gjendja e tij është përkeqësuar mëngjesin e sotëm, duke bërë të nevojshëm transportimin urgjent drejt Spitalit Rajonal Fier.
69-vjeçari është dërguar në spital me shenja jete, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Trupi i pajetë është transportuar më pas në morg, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.