Rritje alarmante e HIV në Shqipëri, të rinjtë ndër më të prekurit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.04.2026, 10:30

Pas një periudhe të gjatë me luhatje dhe një farë qëndrueshmërie, në Shqipëri po vihet re një rritje e re e rasteve me HIV, e cila po shqetëson ekspertët.

Të dhënat më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se deri në tetor të vitit 2025 janë konfirmuar 125 raste të reja, duke e çuar situatën sërish drejt niveleve më të larta që nuk janë parë që prej vitit 2016. Në total, që nga fillimi i viteve ’90, numri i personave të prekur ka arritur në 1,973.

Sipas specialistëve, përhapja e virusit mbetet e përqendruar kryesisht në qytetet e mëdha. Tirana mban peshën kryesore të rasteve, me rreth gjysmën e tyre. Kjo lidhet si me dendësinë e lartë të popullsisë dhe lëvizjen më të madhe, ashtu edhe me mundësitë më të mira për testim dhe diagnostikim.

Pas Tiranës, qytete si Durrësi dhe Elbasani kanë një përqindje të konsiderueshme të rasteve, ndërsa Shkodra dhe Vlora ndjekin më pas. Në qytetet e tjera, si Lushnja, Fieri, Korça, Gjirokastra apo Saranda, shifrat janë më të ulëta, por kjo mund të lidhet edhe me mungesën e testimeve dhe hezitimin për t’u kontrolluar për shkak të stigmatizimit.

HIV po prek kryesisht moshat më aktive të popullsisë. Numri i meshkujve të diagnostikuar mbetet dukshëm më i lartë se ai i femrave. Kulmi i rasteve vihet re tek të rinjtë 25–29 vjeç, çka tregon një ekspozim të lartë ndaj sjelljeve me rrezik. Tek gratë, rastet janë më të shpeshta në moshat 40–49 vjeç, megjithatë virusi është i pranishëm në çdo grupmoshë.

Rruga kryesore e përhapjes mbeten marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, që përbëjnë shumicën dërrmuese të rasteve. Grupet me rrezik të shtuar vazhdojnë të jenë të ekspozuara, ndërsa specialistët paralajmërojnë se stigmatizimi mund të fshehë një pjesë të rasteve reale.

Gjatë vitit 2025 është regjistruar edhe një rast i transmetimit nga nëna tek fëmija, duke theksuar nevojën për kontroll gjatë shtatzënisë.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet zbulimi i vonshëm i sëmundjes. Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve diagnostikohen vetëm në faza të avancuara, kur trajtimi bëhet më i vështirë dhe rreziku për përhapje rritet.

Rreth 60,000 testime janë kryer deri në fund të tetorit 2025, por shumica vijnë si rezultat i referimeve nga mjekët dhe jo nga iniciativa personale.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se testimi është falas dhe konfidencial, dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollohen në kohë, pasi diagnostikimi i hershëm është thelbësor për trajtimin dhe për frenimin e përhapjes së virusit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit