Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë antidrogë, duke goditur disa grupe kriminale që shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pas një hetimi 3-mujor, në kuadër të operacionit të koduar “Final”, janë identifikuar gjithsej 36 persona të përfshirë, të cilët vepronin si individë apo në grupe të organizuara.
Për 15 persona është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa 5 të tjerë ishin arrestuar më herët gjatë hetimeve. Ndërkohë, 16 persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre. Mes të arrestuarve janë Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesa, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme, përfshirë 60.3 kg kanabis, 2.05 kg kokainë, 4 armë zjarri, si dhe shuma të mëdha parash në euro, lekë dhe paundë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.