Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar një ndryshim të papritur qëndrimi duke vendosur të zgjasë pa afat armëpushimin me Iranin, vetëm pak orë përpara skadimit të tij.
Në një deklaratë publike, Trump bëri me dije se vendimi erdhi pas kërkesës së autoriteteve pakistaneze, përfshirë kryeministrin Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë, Asim Munir. Sipas tij, kjo pauzë do t’i japë kohë palëve që të paraqesin një propozim të përbashkët dhe të vijojnë negociatat.
“Armëpushimi do të qëndrojë në fuqi derisa të paraqitet një propozim dhe të përfundojnë diskutimet, në një mënyrë apo në një tjetër”, është shprehur Trump, duke theksuar se ushtria amerikane mbetet në gatishmëri të plotë.
Megjithatë, ai konfirmoi se bllokada detare ndaj Iranit do të vijojë, duke mbajtur presionin mbi Teheranin edhe gjatë periudhës së negociatave.
Vendimi vjen në një moment kur vetëm pak orë më parë, Trump kishte paralajmëruar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, duke theksuar se SHBA ishte “gati për veprim”. Kjo lëvizje e fundit shihet si një tërheqje taktike për t’i dhënë një shans diplomacisë.
Nga ana tjetër, kryeministri pakistanez Sharif falënderoi publikisht Trump për pranimin e kërkesës, duke theksuar se Pakistani do të vazhdojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes palëve.
Tashmë pritet që raundi i ardhshëm i bisedimeve të zhvillohet në Islamabad, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo zgjatje e armëpushimit do të çojë drejt një marrëveshjeje përfundimtare apo thjesht do të shtyjë një përplasje të mundshme.