Personi që shihni në foto është 30-vjeçari Endri Goxhaj (alias Shehu), i cili mbeti viktimë e atentatit me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Memaliaj.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ndodhi rreth orës 20:50, pas një konflikti mes disa personave që degradoi me shpejtësi në përdorimin e armës. I dyshuari kryesor është 29-vjeçari Donald Nela, i cili dyshohet se ka qëlluar ndaj Goxhajt, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pavarësisht transportimit të menjëhershëm drejt spitalit, 30-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Nga e njëjta ngjarje mbeti i plagosur edhe vëllai i autorit të dyshuar, 25-vjeçari Darjo (Dario) Nela, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk është e qartë se si ai është përfshirë dhe në çfarë rrethanash ka marrë plagët.
Pas krimit, autori është larguar me automjet dhe vijon të jetë në arrati, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po ushtron kërkime intensive për kapjen e tij.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit që çoi në këtë ngjarje të rëndë.