Pamje të reja kanë mbërritur nga spitali i Gjirokastrës, ku shihet momenti i mbërritjes së ambulancës pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në Memaliaj.
Dyshohet se në ambulancë është transportuar 30-vjeçari Endri Goxhaj (alias Shehu), i cili ndërroi jetë rrugës për në spital, ose personi tjetër i mbetur i plagosur nga ky konflikt.
Sipas informacioneve të deritanishme, ngjarja ndodhi rreth orës 20:50 pas një konflikti mes disa personave, i cili degradoi në përdorimin e armëve.
Autori i dyshuar është 29-vjeçari Donald Nela, i cili dyshohet se ka qëlluar ndaj viktimës dhe më pas është larguar nga vendngjarja me automjet, duke u shpallur në kërkim.
Nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe vëllai i autorit, 25-vjeçari Darjo Nela, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk është e qartë se në çfarë rrethanash ai ka marrë plagët.
Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur mes dy grupeve dhe është përshkallëzuar me shpejtësi, duke përfunduar në tragjedi.
Ndërkohë, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur qytetin e Memaliajt, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të tjera nga hetimet.