Tenderat e AKSHIT nën kontrollin e ri: Zbulohet aleanca mes Endri Meksit dhe Arlinda Pogajt

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.04.2026, 22:12

Sipas një investigimi të publikuar, një lëvizje e fundit e qeverisë ka ndryshuar rrënjësisht hartën e prokurimeve publike në fushën e teknologjisë, duke krijuar një terren të ri për dyshime mbi afera korruptive.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) i është hequr kompetenca për zhvillimin e tenderave të IT-së, duke ia kaluar këtë pushtet Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).

Ky institucion drejtohet nga Arlinda Pogaj, një figurë që shpesh cilësohet si simbol i aferave me prokurimet dhe që aktualisht ka disa çështje penale të hapura në Prokurorinë e Posaçme.

Kjo zhvendosje e kompetencave ka aktivizuar menjëherë interesat e biznesit, ku sipas medias Prapaskena, pronari i MCN TV, Endri Meksi, ka nisur një fushatë intensive "servilizmi" dhe lavdesh publike ndaj Arlinda Pogajt.

Prapaskena raporton se Meksi po përdor ekranin e televizionit të tij për të thurur kronika pozitive që i ngjajnë stilit të vjetër propagandistik, duke e paraqitur punën e OBP-së si një histori suksesi "heroik".

Në këto materiale mediatike, pretendohet se institucioni i drejtuar nga Pogaj i ka kursyer buxhetit të shtetit rreth 40 milionë euro, duke e cilësuar prokurimin e përqendruar si një mekanizëm transparence, ndërkohë që media ngre dyshime se ky është vetëm një kamuflazh për të siguruar fitimin e tenderave të ardhshëm me procedura të paracaktura.

Situata është bërë edhe më alarmante pas sinjalizimeve nga burime të brendshme të OBP-së, të cilat sugjerojnë se kompanitë e lidhura me Endri Meksin, përfshirë "MC Networking", kanë dorëzuar tashmë dokumentacionin për të përfituar nga fondet e teknologjisë.

Prapaskena shkon më tej duke denoncuar presione ndaj anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave (KVO) për të manipuluar rezultatet në favor të Meksit. Megjithatë, ky plan po monitorohet imtësisht nga SPAK dhe BKH, të cilët janë vënë në lëvizje nga raportime të detajuara mbi këtë skemë të mundshme korrupsioni. Strukturat e drejtësisë thuhet se po mbajnë nën vëzhgim çdo dokument të firmosur nga Pogaj në fushën e teknologjisë së informacionit.

Përveç vëzhgimit nga drejtësia, Endri Meksi përballet edhe me barriera të tjera institucionale. Sipas medias, një pengesë e fortë është Komisioni i Prokurimit Publik, ku anëtari Kreshnik Tërnova njihet si një kundërshtar i Meksit, jo vetëm në aspektin profesional por edhe në atë personal.

Në tentativë për të shmangur vëmendjen nga këto manovra financiare, Prapaskena thekson se Meksi po përpiqet të mbulojë interesat e tij te tenderat përmes mediatizimit të jetës private, historive rozë dhe konflikteve të provokuara brenda televizionit të tij, strategji kjo që synon të kamuflojë synimin real: futjen e duarve në buxhetin e shtetit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit