Goditje shportës: Çmimet e perimeve dhe karburanteve fluturojnë në mars 2026

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.04.2026, 20:21

Tregu i produkteve bujqësore në Shqipëri është përfshirë nga një valë e fortë luhatjesh gjatë muajit mars 2026, duke rënduar ndjeshëm xhepat e konsumatorëve për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë të shportës.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, rritja më agresive është regjistruar te domatet, të cilat pësuan një shtrenjtim rekord prej 29% brenda një muaji të vetëm. Çmimi mesatar i tyre u ngjit në 286 lekë për kilogram, krahasuar me 202.5 lekë që ishte në shkurt, duke shënuar vlerën më të lartë historike të regjistruar ndonjëherë për këtë produkt. Në pika të caktuara të shitjes, ky produkt u shndërrua në një luks të vërtetë, duke u tregtuar për disa ditë me radhë deri në 400 lekë për kilogram.

Ndërkohë që rritja e çmimit u argumentua fillimisht me koston e lartë të importit, shifrat e siguruara nga Drejtoria e Doganave nxjerrin në pah një kontrast të fortë midis çmimit të zhdoganimit dhe atij të tregut pakicë.

Të dhënat tregojnë se domatet importoheshin nga Greqia me 56 lekë, nga Italia me 59 lekë dhe nga Turqia me 64 lekë, çka lë dyshime për abuzime apo rritje të skajshme të marzheve të fitimit gjatë zinxhirit të tregtimit. Ky trend rritës nuk kurseu as specat, të cilët u shtrenjtuan me 17% duke arritur në 313.9 lekë për kilogram, ndërkohë që rritje më të lehtë pësuan edhe patatet. Në anën tjetër, produktet si kastravecët dhe qepët ishin të vetmet që shfaqën një tendencë të lehtë rënieje, duke ofruar një lehtësim minimal për konsumatorët.

Krahas problemeve në bujqësi, ekonomia po përballet me një goditje të dyfishtë për shkak të rritjes së fortë të çmimit të hidrokarbureve. Brenda marsit, nafta u shtrenjtua me 16% në krahasim me shkurtin, benzina me 10% dhe gazi me 7%.

Kjo rritje është pasojë e drejtpërdrejtë e tensionimit të situatës në Lindjen e Mesme dhe luftës në Iran, e cila ka rritur kostot e transportit dhe ka krijuar pasiguri në furnizimin me energji. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se po monitoron situatën, por deri më tani nuk ka ndërhyrë me masa konkrete, duke u mbrojtur me faktin se shtrenjtimi është evidentuar vetëm në disa grupe specifike produktesh.

Ky realitet i ri ekonomik po shihet me shqetësim edhe nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar uli së fundmi parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë nga 3.6% në 3.4%, duke paralajmëruar se aktiviteti global po përballet me një provë të madhe.

Nëse konflikti në Lindjen e Mesme do të zgjatet, pasojat për ekonominë shqiptare pritet të jenë serioze, duke e mbajtur presionin mbi çmimet të lartë dhe duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve në muajt në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit