Pas publikimit të rastit shqetësues në plazhin e Durrësit, ku një turist denoncoi sjelljen e papranueshme të një burri në publik, një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një reagim të fortë dhe një kërkesë të pazakontë ndaj qeverisë.
Në një video të dërguar në redaksi, ai kërkon që kryeministri Edi Rama të marrë në konsideratë hapjen e shtëpive publike, si një mënyrë për të frenuar raste të tilla që, sipas tij, po shtohen ndjeshëm në vend.
“Kam kohë që bëj video për këtë çështje, sepse situata po bëhet shqetësuese. Nuk është rasti i parë, si ai i sotmi në Durrës. Ka persona që kryejnë veprime të turpshme edhe në urbanet e Tiranës apo në hapësira publike. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, shprehet qytetari.
Ai thekson se fenomene të tilla po krijojnë pasiguri dhe shqetësim për qytetarët dhe familjet, duke kërkuar që institucionet të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Reagimi i tij vjen në një moment kur rasti i fundit në Durrës ka ngritur shumë diskutime në rrjet, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në hapësirat publike dhe sjelljeve të papranueshme që cenojnë qytetarët dhe turistët.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse institucionet do të reagojnë ndaj këtyre shqetësimeve dhe çfarë masash konkrete do të ndërmerren për të adresuar këtë fenomen.