Trump paralajmëron Iranin: Jemi gati për veprime ushtarake nëse dështojnë negociatat!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.04.2026, 18:38

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni është “gati të ndërmarrë veprime ushtarake” nëse dështojnë negociatat me Iranin, ndërsa afati i armëpushimit të përkohshëm po shkon drejt fundit.

Në një intervistë për CNBC, Trump u shpreh se nuk dëshiron zgjatjen e armëpushimit, duke theksuar se “nuk ka shumë kohë” dhe se SHBA ndodhet në një pozicion të fortë negociues. Ai shtoi se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje të favorshme, por paralajmëroi qartë: “Nëse negociatat dështojnë, jemi gati ushtarakisht”.

Ndërkohë, zv/presidenti JD Vance pritej të udhëtonte drejt Pakistanit për një raund të ri bisedimesh, megjithëse nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë nëse kjo vizitë do të realizohet dhe nëse pala iraniane do të marrë pjesë.

Nga ana tjetër, tensionet janë rritur edhe më shumë pas reagimeve të ashpra nga Teherani. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, akuzoi Trump se po përpiqet ta kthejë tryezën e negociatave në një “tryezë dorëzimi”, duke iu referuar edhe bllokadës detare amerikane dhe sekuestrimit të një anijeje iraniane.

Sipas autoriteteve pakistaneze, Irani ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në bisedimet e reja për paqe. Ministri i Informacionit në Pakistan, Attaullah Tarar, deklaroi se përgjigjja e Teheranit është vendimtare për përpjekjet diplomatike që synojnë shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Pakistani ka luajtur një rol kyç si ndërmjetës në këtë proces, duke pritur raundin e parë të negociatave dhe duke u përpjekur të sjellë palët sërish në tryezë përpara skadimit të armëpushimit.

Situata mbetet e tensionuar dhe çdo dështim i negociatave mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit