Disa ditë më parë, redaksia e JOQ Albania publikoi shqetësimin e një nëne, e cila tregonte një episod të pazakontë: një grua me shami i ishte afruar fëmijës së saj dhe, sapo kishte vënë re praninë e prindit, kishte mbuluar fytyrën. Ky veprim ngriti dyshime dhe shqetësim për arsyet e afrimit.
Pas publikimit, rasti nuk mbeti i izoluar. Në redaksi kanë mbërritur dhjetëra denoncime të tjera nga qytetarë të ndryshëm, të cilët raportojnë situata të ngjashme dhe shprehin pasiguri për atë që po ndodh në zona të ndryshme.
Vetëm pas këtyre reagimeve dhe thirrjeve të përsëritura ndaj institucioneve, përfshirë drejtorin e Policisë, Skënder Hita, ka ardhur edhe një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.
Në njoftimin për media, policia ka sqaruar se bëhet fjalë për gra që i përkasin një grupi të njohur si muxhahedinët iranianë, të cilët janë të vendosur në zonën e Manëz, dhe se, sipas autoriteteve, nuk paraqesin rrezik apo qëllime të këqija ndaj fëmijëve.
Megjithatë, pavarësisht këtij sqarimi “qetësues”, duket se një pjesë e qytetarëve mbeten skeptikë. Denoncimet dhe raportimet vijojnë të mbërrijnë, duke treguar se shqetësimi nuk është shuar plotësisht dhe se besimi ndaj deklaratave zyrtare mbetet i brishtë.
Situata ngre edhe një herë nevojën për transparencë më të madhe dhe komunikim të qartë nga institucionet, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe të rikthehet ndjenja e sigurisë tek qytetarët.