“Duan të më vrasin”, shqiptari që i shpëtoi atentatit nga Talo Çela refuzon ekstradimin nga Anglia

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.04.2026, 14:00

Irfan Azizi, i njohur në Berat me nofkën “Fania” dhe i konsideruar si një figurë me precedentë penalë, po kundërshton ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Ai pretendon se kthimi në atdhe do të rrezikonte jetën e tij, duke përmendur frikën nga një atentat i mundshëm i organizuar nga një grup kriminal, të cilin e lidh me emra të njohur të botës së krimit.

Azizi u paraqit në gjykatën britanike, ku deklaroi se në vitin 2020 i kishte mbijetuar një atentati të rëndë në Shqipëri nga Talo Çela, gjatë të cilit ndaj tij u qëllua me armë automatike rreth 30 herë. Sipas tij, një prej plumbave i ka shkaktuar dëmtime serioze në dorë. Ai theksoi se nuk ka marrë asnjë paralajmërim, duke shtuar se “ata nuk paralajmërojnë, por veprojnë”.

Ai pretendon se grupi që dyshohet se qëndron pas sulmit ka ndikim të madh dhe është i aftë të kryejë vrasje edhe ndaj figurave të rëndësishme. Në dëshminë e tij, Azizi shkoi më tej duke pretenduar se posedon prova për këto lidhje, por pa i bërë ato publike në gjykatë.

“Këta njerëz kanë kryer vrasje për Kryeministrin me urdhër të tij dhe gjithashtu për Ministrin e Brendshëm. Unë kam prova".

Autoritetet shqiptare e kërkojnë për të vuajtur një dënim me një vit burg, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ai është dënuar më herët për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Gjatë seancës, ai pranoi gjithashtu se kishte paguar për mbylljen e çështjeve gjyqësore në Shqipëri, duke e paraqitur këtë si praktikë të zakonshme, ndërsa këmbënguli se nuk dëshiron të kthehet për shkak të rrezikut ndaj tij dhe familjes.

Nga ana tjetër, prokuroria britanike ka vënë në dyshim pretendimet e tij, duke theksuar se gjatë pesë viteve që ai ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar nuk rezulton të ketë pasur kërcënime konkrete ndaj tij apo familjarëve.

Seanca e ekstradimit vijon, ndërsa gjykata pritet të vendosë nëse Azizi do të dërgohet në Shqipëri për të përballuar drejtësinë apo do të lejohet të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të kërkesës së tij për azil.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit