Media britanike Daily Mail ka publikuar një investigim ku pretendohet se disa azilkërkues shqiptarë po përdorin dokumente të falsifikuara për të mbështetur aplikimet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas raportimit, këto dokumente sigurohen përmes rrjeteve të organizuara që bashkëpunojnë me zyrtarë të korruptuar, duke krijuar vërtetime që pretendojnë kërcënime apo rrezik në Shqipëri element kyç për të kërkuar azil.
Në qendër të skemës, sipas artikullit, është një grup që operon edhe në rrjete sociale si TikTok, duke reklamuar hapur shërbime për sigurimin e dokumenteve zyrtare kundrejt pagesës. Një gazetar i infiltruar arriti të kontaktojë me një prej këtyre rrjeteve, të cilët ofruan një vërtetim të nënshkruar dhe vulosur nga policia për shumën 3,000 euro. Dokumenti, sipas tyre, do të përfshinte emrin dhe firmën e një drejtuesi policie, duke e bërë atë të duket autentik dhe të përdorshëm në procedurat e azilit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 17,000 shqiptarë aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2022, ndërsa kjo shifër ra ndjeshëm në 2,648 deri në vitin 2024, pas marrëveshjeve për kthimin e përshpejtuar të emigrantëve. Autoritetet britanike e konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt dhe kanë refuzuar rreth 97% të kërkesave gjatë vitit 2024, megjithëse një pjesë e tyre vijojnë të apelojnë vendimet në rrugë ligjore.
