Një denoncim që të lë pa fjalë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një kompani taksish ngre alarmin për një fenomen që, sipas tyre, po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë: abuzimi me besimin dhe mungesa totale e përgjegjësisë nga klientët.
Sipas denoncimit, një vajzë analfabete që kishte përdorur vazhdimisht shërbimin e kësaj kompanie, ka kërkuar një “favor”: të mos paguante udhëtimin në momentin e nisjes nga Durrës drejt Tiranë, me justifikimin se pagesën do ta kryente në kthim, pasi të rikthehej me autobus në mbrëmje.
Në një akt mirëbesimi, kompania ka pranuar. Por ajo që ndodhi më pas nuk ishte thjesht një mospagesë.
Sipas tyre, në vend të shlyerjes së detyrimit, janë përballur me një reagim skandaloz: ofendime, gjuhë banale dhe madje kërcënime të hapura nga klientja. Një situatë që kalon çdo kufi normal dhe tregon një degradim shqetësues të sjelljes qytetare.
Rasti është referuar edhe në polici, por deri më tani, sipas denoncuesve, nuk është marrë asnjë masë konkrete. Një heshtje institucionale që vetëm sa e rëndon më tej situatën dhe lë hapësirë për përsëritje të rasteve të tilla.
Kompania thekson se nuk bëhet fjalë për shumën e parave, por për parimin: abuzimi me besimin dhe mungesa e përgjegjësisë. Ata paralajmërojnë kolegët e tjerë të tregohen të kujdesshëm, pasi raste të ngjashme janë në rritje.
Nga ana tjetër, redaksia e JOQ Albania bën me dije se është përpjekur të kontaktojë personin e përfshirë për të marrë një reagim, por nuk ka pasur asnjë përgjigje.