Irfan Azizi, i njohur me nofkën “Fania”, po përballet me procesin e ekstradimit nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, ndërsa gjatë seancave gjyqësore ka pretenduar se kthimi në vendlindje do t’i rrezikonte jetën. Sipas tij, ekziston frikë për një atentat të mundshëm nga grupe kriminale, përfshirë edhe emrin e Talo Çelës, të cilin e përmend si një nga personat që mund të përbëjnë rrezik për të.
Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, Azizi ka deklaruar se në vitin 2020 i ka shpëtuar një atentati të rëndë, ku ndaj tij janë qëlluar rreth 30 plumba me armë automatike. Ai pretendon se ka mbetur i plagosur rëndë, duke thënë se “një plumb i ka dëmtuar dorën në 13 vende”, dhe se pas sulmit qëndron një grup i strukturuar kriminal me rrjet të gjerë ndikimi.
Nga ana tjetër, prokuroria britanike ka shprehur dyshime serioze mbi këto pretendime, duke argumentuar se gjatë pesë viteve që Azizi ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar nuk është regjistruar asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes së tij. Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij vijon, ndërsa vendimi pritet të përcaktojë nëse ai do të dërgohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë apo do të lejohet të qëndrojë në Britani si azilkërkues.