Një 33-vjeçar nga Gjirokastër është proceduar penalisht nga policia, pasi dyshohet se ka përhapur informacione të rreme në rrjetet sociale, duke ngritur pretendime se drejtues dhe punonjës të bashkisë ishin të infektuar me HIV/AIDS.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Emin Kokalari ka publikuar këto pretendime online, çka, sipas autoriteteve, ka shkaktuar panik tek qytetarët. Në vijim, materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, ndërsa celulari i tij është sekuestruar si provë materiale.
Por përtej procedimit penal, çështja duket se nuk mbyllet kaq thjeshtë.
Pas lajmit që 'mori dhenë', në media qarkulloi një dokument mjekësor që lidhej me kryebashkiakun Flamur Golemi, ku sipas analizave të kryera në fund të vitit 2025 në Janinë, ai rezultonte negativ për HIV. Publikimi i këtij dokumenti ka ngritur jo pak pikëpyetje në opinionin publik, të cilët kërkojnë sqarime për disa hije dyshimi që mbeten pa përgjigje të qartë.
Nga ana tjetër, procedimi i menjëhershëm i të riut ka ngritur gjithashtu diskutime mbi mënyrën se si trajtohen raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për denoncime, të drejta apo të gabuara qofshin, që prekin interesin publik.
Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë thjesht me një “lajm të rremë” apo me një histori që kërkon më shumë transparencë dhe verifikim nga institucionet përkatëse.
Sepse në fund të fundit, përtej procedimeve dhe deklaratave, ajo që kërkojnë qytetarët është një përgjigje e qartë: çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.