Pas zjarrit të fuqishëm në zonën e “Farmacisë 10” në Tiranë, ku ndërhyrja e zjarrfikësve shmangu një tragjedi të mundshme dhe shpëtoi dhjetëra banorë, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një tjetër dëshmi që hedh dritë mbi realitetin e vështirë të këtyre “heronjve të heshtur”.
Një zjarrfikës nga Peshkopia ka denoncuar kushtet në të cilat punojnë çdo ditë, duke ngritur shqetësimin për mungesën e pagesave, pajisjet e amortizuara dhe premtimet e pambajtura nga institucionet.
Sipas tij, ndonëse është deklaruar zyrtarisht se pagesat për gatishmërinë për vitin 2025 janë kryer, në terren situata paraqitet ndryshe, pasi shumë prej tyre nuk i kanë marrë ende këto shpërblime.
“Ne rrezikojmë jetën çdo ditë për qytetarët, por përballë kemi mungesë respekti dhe vlerësimi. Nuk është vetëm çështje page, është dinjitet,” shprehet ai në mesazhin drejtuar redaksisë.
Denoncuesi thekson gjithashtu se zjarrfikësit përballen me emergjenca të përditshme në kushte të vështira, shpesh me mjete të vjetruara dhe pa mbështetjen e nevojshme, çka rrit ndjeshëm rrezikun gjatë ndërhyrjeve.
Ai ngre shqetësimin edhe për një mjet të ri zjarrfikës të premtuar, i cili sipas tij ende nuk është vënë në dispozicion, duke i lënë efektivët të punojnë me kapacitete të kufizuara.
Ky denoncim vjen në një moment kur opinioni publik pa nga afër sakrificën e zjarrfikësve në Tiranë, ku disa prej tyre mbetën edhe të lënduar gjatë ndërhyrjes për të shpëtuar qytetarët e bllokuar në flakë.
Megjithatë, pas çdo ndërhyrjeje heroike, duket se realiteti i tyre mbetet i njëjtë: paga të vonuara, mungesë investimesh dhe kushte që lënë shumë për të dëshiruar.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar lidhur me këtë shqetësim, ndërsa zjarrfikësit kërkojnë vetëm atë që u takon: pagesat e prapambetura, kushte dinjitoze dhe mbajtjen e premtimeve.
Sepse ata janë aty çdo ditë për qytetarët… por kush është aty për ta?