Banorët e zonës së Kamzës po përballen çdo ditë me një problem serioz që, po u rrezikon drejtpërdrejt shëndetin. Bëhet fjalë për tymin e dendur dhe asfiksues që del nga fabrika e aluminit “EVEREST”, një situatë që, sipas denoncimeve, është kthyer në një makth të përditshëm për komunitetin.
Qytetarët shprehen se emetimet ndodhin në mënyrë të vazhdueshme, duke mbuluar zonën me një re tymi që vështirëson frymëmarrjen dhe shkakton shqetësime të menjëhershme, sidomos tek të moshuarit dhe fëmijët.
Sipas tyre, situata nuk është e re, por ajo që e rëndon më shumë është mungesa e reagimit konkret nga institucionet përgjegjëse. Banorët kërkojnë kontrolle të menjëhershme dhe transparente mbi aktivitetin e fabrikës, si dhe masa të forta për ndalimin e ndotjes që, sipas tyre, po u dëmton mushkëritë dhe cilësinë e jetës.