“Sh*ringat dhe mbetjet spitalore po hidhen në rrugë dhe po rrezikojnë qytetarët”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.04.2026, 15:51

Një problem serioz dhe i përsëritur po del në pah në menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, ku përgjegjësia e institucioneve përkatëse duket se mbetet e dobët ose e paefektshme në terren. Në disa raste, këto mbetje të rrezikshme po përfundojnë në kosha të zakonshëm apo në hapësira publike, pa asnjë trajtim të posaçëm dhe pa respektuar protokollet bazë të sigurisë.

Situata, e raportuar nga denoncime të vazhdueshme në terren, nuk është thjesht mungesë standardi teknik, por një neglizhencë institucionale që prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Mbetjet spitalore, të cilat duhet të jenë nën kontroll të rreptë nga strukturat shëndetësore dhe mjedisore, në disa raste dalin jashtë çdo zinxhiri monitorimi.

Raportimet tregojnë për shiringa të përdorura, mbetje me origjinë spitalore, shishe medikamentesh dhe materiale të tjera potencialisht infektive të përziera me mbeturinat e zakonshme urbane. Në vend që të asgjësohen sipas protokolleve të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse, ato përfundojnë në rrugë dhe kosha lagjesh, ku mund të bien në kontakt me çdo qytetar, përfshirë fëmijët.

Një punonjës i angazhuar në një kompani të huaj të menaxhimit të mbetjeve, tregon sesi trajtohen mbetjet në vendin fqinj duke treguar sesi shiringat e hedhura kudo po kthehen në një rrezik për jetën e shqiptarëve: “Shiringa dhe mbetje spitalore në Shqipëro hidhen si plehra normale. Nuk ka ndarje, nuk ka standard dhe mbi të gjitha mungon përgjegjësia në terren.”

Rreziku që krijohet nga kjo praktikë është i drejtpërdrejtë dhe i dokumentuar. Një shiringë e hedhur në rrugë mund të shkaktojë infeksione serioze në rast kontakti aksidental, ndërsa mbetjet farmaceutike mund të ndotin tokën dhe burimet ujore, duke prodhuar pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin.

Në këto kushte, mungesa e kontrollit dhe moszbatimi i protokolleve nga institucionet përgjegjëse e kthen çdo zonë urbane në një hapësirë potencialisht të rrezikshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit