Skema e pastrimit të parave nga Zvicra në Ballkan! Hetohet rrjeti i “Visit” dhe “Papit”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.04.2026, 14:53

Detaje të reja nga hetimet e autoriteteve zvicerane dhe shqiptare kanë zbuluar një rrjet të strukturuar kriminal që dyshohet se ka pastruar miliona euro të ardhura nga trafiku i drogës përmes një agjencie udhëtimesh në Lucernë. Sipas medias zvicerane, AARGAUER ZEITUNG kjo agjenci shërbente si pikë grumbullimi për paratë e pista, të cilat më pas transferoheshin drejt Ballkanit përmes sistemit informal “Hawala”, me Tiranën si një nga qendrat kryesore të shpërndarjes.

Në krye të skemës dyshohet të ketë qenë një person i njohur me nofkën “Visi”, i cili koordinonte si rrjetin e trafikut të drogës ashtu edhe lëvizjen e parave. Ndërkohë, një tjetër figurë kyçe, i njohur si “Papi”, operonte nga Tirana, ku dyshohet se menaxhonte shpërndarjen e parave përmes pikave të këmbimit valutor. Hetimet tregojnë se komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes aplikacioneve të enkriptuara si SkyECC, Signal dhe Surespot, duke përdorur kode dhe pseudonime për të shmangur zbulimin.

Prokuroria Federale në Zvicër dhe SPAK në Shqipëri kanë nisur procedime penale ndaj disa personave të përfshirë, ndërsa disa prej tyre ndodhen në paraburgim. Sipas hetuesve, vetëm nga komunikimet e zbardhura janë dokumentuar depozita të përditshme që arrinin deri në 60 mijë franga, ndërsa rrjeti përfshinte dhjetëra korrierë dhe disa pika operimi në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shtrirjen e këtij aktiviteti kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit