Dosja hetimore e SPAK ngre dyshime të rënda mbi përfshirjen e ish-shefit të Policisë së Vlorës, Rezart Kuçi, në aktivitetet e grupit kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla. Sipas materialeve të publikuara, Kuçi dyshohet se ka qenë i përfshirë jo vetëm në informimin e grupit për lëvizjet e policisë, por edhe në organizimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në dosje përmendet një episod ku ai dyshohet se ka marrë pjesë në planifikimin e trafikut të rreth 4 tonëve hashash nga Maroku drejt Spanjës, ku ka udhëtuar vetë në gadishullin Iberik për organizimin logjistik të operacionit. Po ashtu, ai dyshohet se ka përdorur aksesin në strukturat shtetërore dhe sistemet policore për të ndihmuar grupin, përfshirë zhdukjen e provave dhe informimin mbi operacionet e antidrogës.
Hetimet e SPAK tregojnë se Kuçi, përmes komunikimeve të zbuluara në aplikacionet e enkriptuara Sky ECC, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me anëtarët e grupit, duke u dhënë atyre informacion dhe mbrojtje nga goditjet e policisë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh, ndërsa është i vetmi zyrtar i arrestuar në operacionin e goditjes së grupit të Hajrullës.