Një episod i rëndë që ka ngritur shqetësim për sigurinë rrugore është regjistruar në zonën e Sheshi Wilson, ku në pranga ka përfunduar shtetasi Mishel Prela, pas një serie veprimesh të rrezikshme në rrugë.
Sipas informacionit paraprak, i riu është ndaluar teksa po kryente manovra të rrezikshme me automjet, duke u kthyer në një kërcënim për qytetarët. Por situata agravoi edhe më tej në momentin kur efektivët i kërkuan të ndalonte. Në vend që t’i bindjej urdhrit, ai ka shtuar shpejtësinë, duke përplasur madje edhe një automjet policie dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të rendit.
Pas disa minutash ndjekjeje, arrestimi i tij u bë i mundur, por jo pa rezistencë. Burimet zyrtare bëjnë me dije se ai ka kundërshtuar me dhunë efektivët si në momentin e ndalimit, ashtu edhe gjatë shoqërimit në komisariat.
Verifikimet e mëtejshme kanë nxjerrë në pah një tablo edhe më shqetësuese: Prela drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, ndërkohë që nuk posedonte leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar si kokainë, duke e rënduar më tej situatën ligjore të tij.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një fenomen që vazhdon të përsëritet në rrugët e Tiranës: drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo nën efektin e drogës, shpesh i shoqëruar me sfidim të hapur të autoriteteve.