Një episod alarmant është regjistruar në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku disa furgonë janë filmuar nga qytetarët teksa garonin mes tyre në rrugë të hapura, duke u kthyer në një kërcënim serioz për jetën e kalimtarëve dhe drejtuesve të tjerë.
Sipas pamjeve dhe dëshmive, tre furgonë lëviznin me shpejtësi dhe rivalitet të hapur, sikur të ishin në një pistë gare dhe jo në një zonë të banuar. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur një prej mjeteve, që raportohet se i përket një kompanie të lidhur me biznesmenen Vilma Nushi, kaloi semaforin me dritë të kuqe, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e një këmbësori që po përgatitej të kalonte rrugën.
Vetëm reagimi i shpejtë i një shoferi tjetër, i cili sinjalizoi me drita për rrezikun, shmangu një aksident të mundshëm me pasoja tragjike. Një moment që tregon se shpesh fati dhe refleksi i individëve mbeten mbrojtja e vetme përballë papërgjegjshmërisë në rrugë.
Ngjarje të tilla në zemër të kryeqytetit nuk janë më raste të izoluara, por po kthehen në një fenomen shqetësues. Gara të paligjshme, shkelje flagrante të rregullave dhe mungesë kontrolli po e bëjnë përditshmërinë urbane gjithnjë e më të pasigurt për qytetarët.