Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Asti-t në Itali, ku një histori e dështuar dashurie përfundoi në një akt të përgjakshëm që mori tre jetë. 59-vjeçari shqiptar, Astrit Koni, vrau brutalisht ish-bashkëshorten e tij, Drita Meçollari, dhe partnerin e saj të ri, Bardhok Gega, përpara se të kryente vetëvrasje.
Sipas të dhënave paraprake, gjithçka duket se ka shpërthyer nga një xhelozi e pakontrolluar. Koni nuk kishte pranuar ndarjen dhe faktin që ish-gruaja e tij kishte nisur një jetë të re, duke e kthyer konfliktin personal në një tragjedi me pasoja fatale.
Ngjarja mori jetë në një zonë rurale pranë Cossombrato-s. Trupi i Konit u zbulua fillimisht nga policia rrëzë kullës së kështjellës ku ai punonte si kopshtar, vend nga i cili dyshohet se u hodh për t’i dhënë fund jetës. Vetëm pak më vonë, u zbuluan edhe trupat e pajetë të dy viktimave të tjera, të hedhur në një hendek pranë një fushe me koshere bletësh, një vend që lidhej ngushtë me jetën e përditshme të çiftit.
Zbulimi i dyfishtë erdhi nga vëllai i Dritës, i cili, i shqetësuar për mungesën e kontakteve me të për më shumë se 24 orë, u nis në kërkim dhe hasi në skenën makabre. Pranë trupave u gjet edhe arma e krimit, një mjet bujqësor, me të cilin autorit dyshohet se i goditi viktimat deri në vdekje.
Hetimet, të drejtuara nga prokurori Alessandro Giai, po përpiqen të rindërtojnë me saktësi dinamikën e ngjarjes. Një element kyç është një shënim i lënë nga autori, ku ai shkruante: “Më shkatërrove jetën për 15 vitet e fundit, por tani mbaroi”, një fjali që hedh dritë mbi gjendjen e tij emocionale dhe motivin e mundshëm.
Drita Meçollari ishte zhvendosur prej kohësh në Milano, por kthehej herë pas here në zonë së bashku me partnerin e saj për t’u kujdesur për kosheret e bletëve, një pasion që e kishte ndjekur prej vitesh. Fqinjët tregojnë se ndarja me Konin kishte ndodhur në janar, pas një periudhe të gjatë krize në çift.
Pas tragjedisë, familja është përballur me një dhimbje të dyfishtë. Çifti kishte dy vajza: njëra jeton në Dubai dhe është nisur drejt Italisë për ceremoninë mortore, ndërsa vajza tjetër, që jeton në Torino, mësoi fillimisht për vetëvrasjen e të atit dhe vetëm më pas për vrasjen e nënës së saj.
Një histori që nis me një lidhje të shkatërruar dhe përfundon në mënyrën më të errët të mundshme, duke lënë pas jo vetëm viktima, por edhe një plagë të thellë për familjarët dhe komunitetin