Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 95 dollarë për fuçi, pas përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe dështimit të përpjekjeve diplomatike për arritjen e një armëpushimi, sipas raportimeve të Reuters. Nafta Brent u rrit me rreth 5%, duke shkuar në 95.19 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit në rreth 88.8 dollarë.
Vetëm pak ditë më parë, tregjet kishin shënuar rënie të fortë prej rreth 9%, pasi ishin rritur shpresat për negociata dhe ishte raportuar për hapje të përkohshme të Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, situata ndryshoi shpejt pas dështimit të bisedimeve të zhvilluara në Islamabad dhe rikthimit të tensioneve në terren, duke sjellë një rritje të menjëhershme të çmimeve.
Kriza është thelluar edhe më tej pas një incidenti të raportuar ku Marina e SHBA-së ka sekuestruar një anije iraniane që dyshohet se ka shkelur bllokadën detare, duke rritur frikën për ndërprerje të furnizimit global. Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë, po ndikojnë drejtpërdrejt në luhatjet e tregut dhe rrisin rrezikun për rritje të mëtejshme të çmimeve drejt 100 dollarëve për fuçi.