Shqiptari vrau ish-gruan, partnerin e saj dhe veten e tij, fqinjët të tronditur: S’e besojmë dot

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.04.2026, 10:58

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Cossombraton, në provincën e Astit në Itali, ku një burrë vrau ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i jepte fund jetës. Sipas të dhënave nga hetimet, dyshohet se krimi ishte i planifikuar dhe kishte kohë që po përgatitej.

Viktimat janë Drita Mecollari, 55 vjeçe, dhe Bardhok Gega, 57 vjeç, të dy me origjinë shqiptare. Autori i dyshuar, Astrit Koni, 59 vjeç, ish-bashkëshorti i gruas, pasi i vrau ata, u hodh nga kulla e kështjellës ku punonte si kopshtar, duke humbur jetën.

Banorët e komunës së vogël në zonën e Monferratos, janë të tronditur për atë që ka ndodhur, duke e cilësuar ngjarjen si “surreale”. Ata e përshkruajnë autorin si një njeri të sjellshëm dhe të kujdesshëm, një pikë referimi për komunitetin, dhe shprehen se e kanë të vështirë të besojnë krimin e rëndë që ai dyshohet se ka kryer.

Banorët, që jetojnë pranë rrugës kryesore poshtë kështjellës së Cossombratos, tregojnë se Astrit Koni, 59 vjeç, i cili jetonte dhe punonte aty si kopshtar, ishte një person i respektuar nga të gjithë. Ai i dha fund jetës të premten rreth orës 14:00, duke u hedhur nga kulla e kështjellës.

Para aktit ekstrem, ai kishte lënë një mesazh ku shkruante: “Ma ke shkatërruar jetën në këto 15 vite, por tani gjithçka ka marrë fund”, një fjali që fillimisht u interpretua si një përshëndetje e fundit për ish-bashkëshorten, Drita Mecollari, 55 vjeçe.

Trupi i ish-bashkëshortes dhe partnerit të saj u gjet rreth mesditës në një rrugë të paasfaltuar, disa qindra metra larg kështjellës, pranë kosherëve të bletëve për të cilat kujdesej çifti. Pritet që të kryhet edhe autopsia për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Zbulimi i trupave ka tronditur thellë komunitetin e vogël, të përbërë nga pak banesa të shpërndara në kodër, mes vreshtave dhe rrugëve të ngushta që lidhin kështjellën me kishën dhe zonat përreth. Kryetarja e bashkisë, Elsa Ormea, mes emocioneve, u shpreh se Koni ishte një mik dhe një person i gatshëm për të ndihmuar të gjithë, i integruar në komunitet së bashku me familjen e tij.

Në fshat, askush nuk e njihte Bardhok Gegën, por të gjithë njihnin Konin dhe Mecollarin, të cilët kishin ardhur nga Shqipëria më shumë se 30 vite më parë. Ajo punonte si kujdestare, ndërsa ai si kopshtar, jo vetëm në kështjellë, por edhe në shtëpi private. Çifti kishte dy vajza, Ana dhe Elisabetta. Vajza e madhe jeton në Dubai me familjen e saj, ndërsa e vogla në Torino. Kjo e fundit mbërriti në fshat pas vetëvrasjes së të atit, por nuk pati forcë të identifikonte trupin e tij.

Familja kishte përjetuar edhe një tragjedi tjetër vite më parë, kur humbi një vajzë vetëm pesë muajshe, një ngjarje që kishte lënë gjurmë të thella. Së fundmi, çifti ishte ndarë me marrëveshje, pas një periudhe të vështirë. Sipas priftit, ndarja e kishte prekur shumë Konin, i cili vuante edhe nga largësia me vajzat, por nuk kishte dhënë asnjë shenjë që mund të ndërmerrte një akt të tillë ekstrem.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit