Vijon të mbetet aktive edhe sot vatra e zjarrit që përfshiu ditën e djeshme vend-depozitimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit. Flakët kanë vazhduar gjatë gjithë natës pa ndërprerje, duke u përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke krijuar vështirësi të mëdha në ndërhyrjen e forcave të emergjencës.
Sipas informacioneve, intensiteti i zjarrit dhe natyra e mbetjeve kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa tymi i dendur ka rënduar edhe më tej situatën në zonë. Për shkak të kushteve të terrenit, ndërhyrja po kryhet me ritme të ngadalta dhe me vështirësi teknike.
Ekipet zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e vatrës kryesore të zjarrit, por operacioni mbetet kompleks dhe i zgjatur në kohë. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës deri në shuarjen e plotë të flakëve.