Mjaftojnë këto pamje për të vlerësuar standardet e punimeve në Shqipëri.
Në njërën anë, një pallat në Gjermani ku zjarri mbetet i kufizuar, pa përfshirë fasadën. Në anën tjetër, pallati te “Farmacia 10” në Tiranë që digjet si letër, duke u shkrumbuar nga jashtë brenda pak minutash.
Në Gjermani, materialet e fasadës janë të rregulluara me standarde të rrepta kundër zjarrit. Sistemet izoluese janë të certifikuara dhe të testuara për të mos përhapur flakët. Ndërtimi kontrollohet deri në detaj, dhe shkeljet ndëshkohen seriozisht.
Në Shqipëri? Pyetja nuk është pse u dogj fasada, por pse lejohet ende të ndërtohet me materiale benzinë. Fasada te “Farmacia 10” u përfshi nga flakët me një shpejtësi që nuk lë vend për justifikime teknike. Kjo tregon qartë përdorim materialesh të rrezikshme dhe mungesë kontrolli real.
Ky nuk është vetëm problem ndërtimi. Është problem sigurie publike.
Sa pallate të tjera në Tiranë dhe në gjithë Shqipëri kanë të njëjtin “skenar të fshehur” në fasadat e tyre? Sa jetë varen nga materiale që nuk duhej të ishin lejuar kurrë?
Krahasimi me Gjermaninë nuk është për t’u ndjerë keq, është për të kuptuar sa larg jemi nga minimumi i sigurisë.