Të burgosurit Françesko Doçi dhe Ardian Gjoka janë përfshirë në një incident dhune në IEVP Reç, ku kanë ushtruar forcë fizike ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve. Sipas të dhënave, dy të paraburgosurit kanë kundërshtuar efektivin gjatë shërbimit, duke dëmtuar edhe ambiente të institucionit, përfshirë derën e banjës dhe sende të tjera brenda qelisë.
Punonjësi i policisë ka pësuar dëmtime, kryesisht në pjesën e ballit, dhe është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë rikthyer rendin në institucion.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se ndaj dy të paraburgosurve janë marrë masa të menjëhershme, duke përfshirë izolimin për tre muaj, nisjen e procedimit penal për disa vepra dhe transferimin në një burg të sigurisë së lartë. Autoritetet theksojnë se çdo akt dhune ndaj stafit do të ndëshkohet sipas ligjit dhe se siguria në institucionet penitenciare mbetet prioritet.