Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është sinjalizuar në tregun shqiptar, sërish këtë radhë nga Grigor Lengo i KMY.
Sipas një njoftimi të shpërndarë përmes sistemit europian RASFF, kompania Lengo Group, e njohur edhe për rrjetin e marketeve “Baronesha”, ka importuar nga Gjermania 27 kg krem lajthie me kakao që rezulton i kontaminuar me Salmonela spp.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërhyrë duke ndaluar tregtimin e produktit në fjalë, i cili paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas burimeve nga AKU, pjesa më e madhe e këtij produkti është bllokuar në kohë, ndërsa një sasi e kufizuar dyshohet se ka dalë në treg para ndërhyrjes së autoriteteve.
Ndërkohë, ky nuk është rasti i vetëm që lidhet me aktivitetin e subjekteve të lidhura me këtë grup!
Vetëm pak javë më parë, kompania e përpunimit të mishit KMY, e drejtuar nga Grigor Lengo dhe Spiro Lengo, u vu në qendër të vëmendjes pas një kontrolli të detajuar nga AKU.
Gjatë inspektimit në ambientet e subjektit, autoritetet konstatuan shkelje serioze të standardeve të sigurisë ushqimore.

Inspektorët sekuestruan rreth 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule, të cilat nuk përmbushnin kushtet bazë higjieno-sanitare për tregtim.
Nga verifikimet rezultoi se produktet ishin trajtuar në mënyrë të papërshtatshme, pasi gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes, mishi ishte vendosur drejtpërdrejt në dysheme.
Gjithashtu, ambientet e ruajtjes paraqisnin probleme të rënda, përfshirë praninë e mykut dhe ndryshkut, faktorë që rrisin ndjeshëm rrezikun për ndotje dhe pasoja në shëndetin publik.
Në përfundim të kontrollit, u vendos pezullimi i aktivitetit të kompanisë, deri në përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë ushqimore.
Ndërkohë, e gjithë sasia e mishit të sekuestruar thuhet se është asgjësuar për të shmangur çdo rrezik që mund të vinte nga përdorimi i tij në treg, por duke marrë parasysh se ku jetojmë një pjesë e mirë e tij me siguri është konsumuar nga shqiptarët!
