Zjarri i rënë ditën e sotme në venddepozitimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit vijon të jetë aktiv, ndërsa pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë se flakët ende nuk janë shuar dhe situata mbetet shqetësuese.
Sipas të dhënave zyrtare nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, zjarri po favorizohet nga era, çka e bën më të vështirë ndërhyrjen dhe izolimin e plotë të vatrave. Megjithatë, autoritetet theksojnë se situata po menaxhohet në terren dhe po mbahet nën kontroll.
Në operacion janë angazhuar rreth 20 efektivë zjarrfikës me disa mjete, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe stafin e landfillit. Ndërkohë, në ndihmë kanë mbërritur edhe forca nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Kamëz, duke krijuar një koordinim më të gjerë për përballimin e emergjencës.
Paralelisht, po përdoren mjete të rënda si ekskavatorë dhe kamionë për të izoluar zonat e përfshira nga flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Furnizimi me ujë vijon pa ndërprerje përmes autobotëve të vendosur në zonë.
Autoritetet bëjnë me dije se zjarri ka përfshirë mbetje urbane dhe, deri në këto momente, nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat përreth. Megjithatë, situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa pritet që ndërhyrja të vijojë deri në shuarjen e plotë të flakëve.