Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një nxënës ngre shqetësime për një episod të rëndë dhune që pretendohet të ketë ndodhur në gjimnazin “Elez Isuf Ndreu” në Kamëz.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja dyshohet se ka ndodhur të premten, herët në mëngjes, ende pa nisur mësimi, brenda në ambientet e klasës. Ai pretendon se një nxënës është goditur disa herë me karrige në pjesën e kokës nga një bashkëmoshatar, duke pësuar dëmtime dhe për pasojë është dërguar në Spitalin e Traumës, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po sipas këtij pretendimi, në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka shoqëruar nxënësin e dyshuar si autor, ndërsa i dëmtuari është transportuar nga stafi i shkollës drejt spitalit. Denoncuesi shprehet gjithashtu se, pavarësisht incidentit, drejtuesit e shkollës nuk kanë marrë ende masa disiplinore ndaj nxënësit të përfshirë.
Megjithatë, theksojmë se bëhet fjalë për një pretendim të njëanshëm nga një nxënës dhe deri në këto momente nuk ka asnjë reagim apo konfirmim zyrtar nga autoritetet përkatëse apo nga policia mbi këtë ngjarje.
JOQ Albania i bën thirrje Drejtorisë së shkollës “Elez Isuf Ndreu”, si dhe Policisë së Shtetit, që të reagojnë dhe të sqarojnë publikisht si qëndron e vërteta lidhur me këtë rast të raportuar, për të hedhur dritë mbi ngjarjen dhe për të shmangur keqinformimin.