Shumë vende po vendosin kufizime për aksesin e të miturve në rrjetet sociale, mes tyre Zelanda e Re, Franca, Spanja, Norvegjia, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera, ndërsa një model i ngjashëm po diskutohet edhe në Gjermani. Australia ka shkuar më tej, duke vendosur ndalim për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa edhe Indonezia ka vendosur kufizime moshe.
Sipas ekspertëve të cituar nga DW, qëllimi kryesor është mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale, i cili lidhet me probleme si varësia, mungesa e gjumit, izolimi social dhe ndikimet në shëndetin mendor. Megjithatë, studiuesit theksojnë se vetëm kufizimet e moshës nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemin, pasi ai lidhet edhe me mënyrën se si janë ndërtuar vetë platformat.
Ekspertët paralajmërojnë se algoritmet, njoftimet e vazhdueshme dhe modeli i biznesit që synon mbajtjen sa më gjatë të përdoruesve online, janë në thelb të problemit. Ata sugjerojnë masa më të forta rregullatore dhe ndryshime në vetë dizajnin e platformave, si dhe më shumë transparencë dhe kontroll mbi të dhënat, si mënyra më efektive për të adresuar ndikimet negative të rrjeteve sociale.