Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Astit, pranë Torinos në Itali.
Një 59-vjeçar shqiptar ka vrarë sh-bashkëshorten dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kulla e një kështjelle.
Autori i dyshuar, Astrit Koni, kishte jetuar prej rreth dy dekadash në Itali, njësoj si ish-bashkëshortja e tij, Drita Koni (Meçollari). Para aktit fatal, ai kishte lënë një mesazh ku shprehej se vitet e fundit i kishin shkatërruar jetën dhe se gjithçka kishte marrë fund.
“Më ke shkatërruar jetën në këto 15 vite, por tani gjithçka ka mbaruar.”
Ngjarja kulmoi në Castello di Cossombrato, një fshat i vogël me rreth 500 banorë në provincën e Astit. Duke përdorur çelësat që kishte për shkak të punës si kopshtar, ai hyri në kështjellë dhe u ngjit deri në katin e sipërm, ku më pas u hodh nga një dritare rreth orës 15:00, në sy të dëshmitarëve.
Fillimisht, rasti u perceptua si një vetëvrasje e një personi që dukej i qetë dhe i përkushtuar në punë. Por e vërteta doli në pah vetëm një ditë më vonë, pas denoncimit për zhdukjen e bërë nga vëllai i ish-bashkëshortes së tij, i cili raportoi se ajo nuk ishte kthyer në shtëpi prej dy ditësh.
Pas kërkimeve, policia gjeti trupat e pajetë të 55-vjeçares dhe partnerit të saj të ri, Bardhok Gega, në një kanal pranë disa koshereve të bletëve.