Kapet në Meksikë një nga trafikantët më të kërkuar të BE-së, Janos Ballën e pret Europa

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.04.2026, 09:34

Qeveria e Meksikës ka vënë në pranga një trafikant të dyshuar droge, i cili figuronte në listën e “më të kërkuarve në arrati” të Bashkimit Evropian.

Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, bëri të ditur të shtunën se 48-vjeçari hungarez Janos Balla, i njohur edhe si “Daniel Takacs”, u arrestua në shtetin jugor Quintana Roo.

Në vendet e BE-së, Balla është dënuar me gjashtë vite burg për trafikim narkotikësh dhe substancash psikotrope. Sipas autoriteteve meksikane, ndaj tij ishte lëshuar një njoftim i kuq nga Interpol, që kërkon bashkëpunimin e forcave ligjzbatuese në mbarë botën për kapjen e personave në kërkim.

Institucionet meksikane që morën pjesë në operacion theksuan se arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit me autoritetet hungareze. Përmes shkëmbimit të informacionit dhe hetimeve të inteligjencës, u arrit të përcaktohej zona ku ai lëvizte, në komunën Benito Juárez, ku edhe u ndërmor aksioni që çoi në kapjen e tij në Avenue Politécnico.

Pas arrestimit, Balla u vendos në paraburgim nga Instituti Kombëtar i Migracionit në Meksikë, ndërsa po verifikohet statusi i tij dhe po përgatitet procedura për deportimin drejt Evropës.

Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje e profilit të lartë nën drejtimin e presidentes Claudia Sheinbaum, e cila ka ndjekur një linjë më të ashpër ndaj krimit të organizuar, duke u distancuar nga qasja më e butë e paraardhësit të saj, Andrés Manuel López Obrador.

Administrata e saj ka intensifikuar luftën kundër karteleve të drogës, edhe në sfondin e presionit nga SHBA-të dhe presidenti Donald Trump. Ky i fundit ka shpallur disa kartele si organizata terroriste dhe ka paralajmëruar masa të forta, përfshirë edhe veprime ushtarake, pavarësisht kundërshtimeve mbi cenimin e sovranitetit të Meksikës.

Gjithashtu, Uashingtoni ka përdorur tarifa ndaj eksporteve meksikane si mjet presioni në luftën kundër drogës. Në këtë kontekst, Meksika ka shtuar bashkëpunimin me SHBA-në, përfshirë transferimin e të dyshuarve për ndjekje penale.

Që nga rikthimi i Trump në pushtet në vitin 2025, rreth 92 persona të lidhur me kartelet janë dërguar nga Meksika në SHBA. Megjithatë, këto veprime janë kritikuar nga familjarë dhe zëra të tjerë, të cilët pretendojnë se transferimet janë kryer pa respektuar procedurat ligjore të ekstradimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit