Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdon pa zgjidhje. Situata në Ngushticën e Hormuzit është përkeqësuar, me Iranin që ka shtuar praninë ushtarake dhe deklaron se po e kontrollon fort këtë rrugë ujore strategjike.
Negociatat e para mes SHBA-së dhe Iranit nuk kanë sjellë rezultat konkret. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, shprehu mosbesim ndaj SHBA-së dhe theksoi se një marrëveshje mbetet e largët, pavarësisht disa përparimeve. Ai nënvizoi se ekzistojnë dallime të mëdha për çështjet bërthamore dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar Izraelin si një aleat të fortë të SHBA-së, duke vlerësuar rolin e tij në kohë konflikti. Ai ka zhvilluar gjithashtu një takim urgjent në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën me Iranin, ndërsa zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se, në mungesë të përparimit në negociata, ekziston rreziku i rifillimit të luftës.