‘Skifterët’ shqiptarë në aksion, grabisin me armë një dyqan celularësh

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.04.2026, 23:08

Një grabitje me armë ka tronditur qytetin e Prato, ku tre persona të maskuar kanë sulmuar një dyqan celularësh, duke marrë mijëra euro dhe pajisje elektronike.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 26 marsit, kur tre të rinj me fytyrë të mbuluar dhe të armatosur (dyshohet me armë lodër) hynë në një dyqan celularësh. Brenda ndodheshin pronarja, Dara Igdalia Gudiel, me origjinë nga Hondurasi, dhe partneri i saj.

“Ishte si skenë filmi, na thanë të rrimë të qetë dhe të dorëzojmë paratë”, tha ajo, e tronditur nga ajo që ndodhi.

Sipas saj, pak minuta para grabitjes, në dyqan kishin hyrë dy të rinj për të pyetur për një telefon, të cilët dyshohet se mund të kenë lidhje me autorët.

Në videon e publikuar nga mediat italiane, dëgjohen autorët duke folur dhe sharë në gjuhën shqipe gjatë momentit të grabitjes.

Autorët arritën të marrin rreth 20 telefona (mes tyre 15 iPhone) dhe afro 3 mijë euro cash, përpara se të largoheshin me një makinë tip Fiat 500.

Vetëm pak ditë më parë, autoritetet italiane arritën të identifikojnë dhe arrestojnë një nga autorët: një 17-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka kryer grabitjen së bashku me dy persona të tjerë, të cilët janë ende në kërkim.

Hetimet zbuluan gjithashtu se i njëjti grup kishte kryer një tjetër grabitje tjetër në zonën e Montales, ku kishin vjedhur para dhe cigare në një tabakino.

Pas grabitjes së dytë, policia i ndoqi autorët drejt Montecatini Terme. Arratisja përfundoi kur makina e tyre u përplas në një rrethrrotullim. Edhe pse tentuan të largoheshin në këmbë, 17-vjeçari shqiptar u kap nga karabinierët.

Në automjet u gjetën telefona të vjedhur, paketa cigaresh dhe mjete për maskim, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë konfirmuan përfshirjen e tij në grabitje.

I mituri është dërguar në një qendër për të mitur në Florence, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit