Dhurata e radhës: Ne paguajmë faturat, Ujësjellësi i rregullon shkarkimet Marinës së Alabbarit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.04.2026, 22:01

Ndërsa banorët e lagjes 18 në Durrës po trajnohen privatisht për t'u bërë peshkatarë sa herë bie shi e përmbyten rrugët, Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) ka vendosur të tregojë se është një institucion me "shije aristokrate".

Me një tender "rrufe" prej rreth 300 mijë eurosh (28.8 milionë lekë pa TVSH), UKD ka marrë përsipër detyrën fisnike për t'i shtruar tubacionet e ujit dhe kanalizimet deri në prag të derës investitorit nga Emiratet, Mohamed Alabbar.

Sipas dokumenteve të siguruara, shteti shqiptar nuk mjaftohet duke i falur truallin e portit projektit "Durrës Yachts & Marina", por tani po i shërben edhe si hidraulik privat. Ndërsa 1/3 e qytetit të Durrësit vazhdon të ketë një marrëdhënie platonike me ujin e pijshëm (e sheh por nuk e prek), UKD po nxiton të hapë kanale e të vendosë tuba që 20,000 banorët e parë të lagjes së luksit të mos kenë asnjë shqetësim ekzistencial kur të shkarkojnë tualetin.

Tenderi i firmosur nga Olsen Kavalli parashikon që rrjeti inxhinierik të jetë gati brenda 3 muajve. Ky afat është mbresëlënës, po të kesh parasysh se për riparimin e një tubi të thyer në qendër të qytetit duhen zakonisht dy mandate qeverisëse dhe një rreshtim planetar i favorshëm.

Detaje nga dokumentet:

  • Popullim gradual: Projekti parashikon deri në 66,000 banorë në fazën e dytë. UKD është zotuar t'u shërbejë të gjithëve, ndërsa lagjet ekzistuese të Durrësit po presin ende që uji të ngjitet në katin e tretë pa ndihmën e pompave që zhurmojnë si avionë luftarakë.
  • Gatishmëria: Janë kryer disa vizita në terren për të vlerësuar pikat e lidhjes. Duket se inxhinierët kanë gjetur kohë të vizitojnë "fushën e luksit", por nuk kanë gjetur akoma rrugën për te pusetat që shpërthejnë te ish-Këneta.

Ky investim konfirmon teorinë se në Durrës ka dy lloj qytetarësh: ata që paguajnë faturat që UKD të investojë te Alabbari, dhe ata që do të shohin nga ballkoni i tyre i lagur se si uji i pijshëm rrjedh pa ndalesë drejt pishinave të reja mbi portin e vjetër.

Në fund të fundit, pse duhet t'i bësh kanalizimet e qytetit që të mos përmbytet, kur mund t'i bësh rrjetin një porti që do të ketë varkat e veta për të lundruar mbi përmbytjet?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit