Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon një moment kritik të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në kryeqytet, ku vetëm fati ka parandaluar një aksident të mundshëm.
Në pamjet e regjistruara nga kamera e një makine tjetër, shihet se si një mjet i tipit Volkswagen Golf me targë AB 894 UC, ka sfiduar hapur rregullat e qarkullimit. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në një nga rrugët kryesore të Tiranës, ku semafori për mjetet ishte i kuq.
Ndërkohë që mjetet e tjera janë ndaluar rregullisht, drejtuesi i Golfit të zi nuk ka pritur, por ka parakaluar në korsinë e djathtë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke kaluar me semafor të kuq.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se në ato momente, në vijat e bardha vetëm pak metra më tej, po kalonte një këmbësor. Ky lloj manovrimi i rrezikshëm jo vetëm që shkel Kodin Rrugor, por kthehet në një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë Rrugore të marrë masa të menjëhershme për identifikimin dhe ndëshkimin e këtij drejtuesi mjeti, duke u bazuar në targën e bërë publike, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.