Mrekullia te “Farmacia 10”: IMT-së i kthehet shikimi pas zjarrit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.04.2026, 18:36

Kush thotë se zjarret sjellin vetëm dëme, me siguri nuk njeh dinamikën e punës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). U desh një pallat në flakë dhe një zjarrfikëse që rrinte e bllokuar si makinë nuseje në trafik, që institucionet tona të zbulonin se – ç’të shihje! – një ndërtim pa leje kishte mbirë si kërpudhë mu në mes të rrugës te zona e "Farmacisë 10".

Deri dje, kjo farmaci pa leje pranë QSUT-së gëzonte shëndet të plotë dhe imunitet total ndaj "syrit të shqiponjës" të inspektorëve. Por, fati e deshi që mjeti i emergjencës të mos kishte fuqi mbinjerëzore për të kaluar përmes mureve me tulla.

Vetëm pasi pamjet e zjarrfikëses së bllokuar "thyen" rrjetin dhe komentuesit nisën të pyesnin nëse rrugët e Tiranës janë bërë për makina apo për lojëra "Tetris", IMT-ja u kujtua se kishte një detyrë për të bërë.

  • Zbulimi i Madh: Objekti u identifikua vetëm pasi u bë pengesë fizike për jetën e qytetarëve. Deri atëherë, me sa duket, ishte i padukshëm (ose thjesht "estetik").

  • Reagimi "Flash": Aksioni për shembje nisi menjëherë sapo videoja mori mjaftueshëm like dhe share, duke vërtetuar se IMT-ja nuk funksionon me ligj, por me algoritëm të Facebook-ut.

  • Mungesa e "Live-it": Çuditërisht, këtë herë nuk pamë postime epike për "çlirimin e hapësirave publike", ndoshta sepse ishte pak e vështirë të shitej si sukses një ndërhyrje që vjen pasi desh u dogjën njerëzit brenda.

Ky rast tregoi edhe njëherë "seriozitetin" e aksioneve të IMT-së në kryeqytet. Mesazhi është i qartë: nëse keni një ndërtim pa leje që ju zë pamjen, mos prisni ligjin. Shpresoni që aty pari të kalojë një zjarrfikëse me sirena ndezur dhe dikush ta filmojë me celular.

Duket se disa ndërtime në Tiranë kanë aftësi magjike për t’u bërë transparente para syrit të inspektoratit, derisa realiteti (dhe tymi i zjarrit) i përplas me shpullë pas fytyre. Tashmë presim me kuriozitet se cili do të jetë incidenti i radhës që do t’i tregojë IMT-së se ku ndodhen ndërtimet e tjera "të padukshme" nëpër Tiranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit