La Casa de Papel në Napoli, grabitësit u arratisën përmes një vrime në dysheme

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.04.2026, 18:12

Një ngjarje që të kujton skenat e filmave aksion u regjistrua rreth mesditës në Napoli, në sheshin Medaglie d’Oro, që lidh zonat Vomero dhe Arenella. Gjithçka nisi kur një kalimtar vuri re lëvizje të dyshimta brenda një filiali të Crédit Agricole dhe njoftoi menjëherë emergjencat, duke vënë në lëvizje policinë.

Brenda pak minutash, zona u rrethua nga forcat e rendit, të cilat konfirmuan se bëhej fjalë për një grabitje në zhvillim. Brenda bankës ndodheshin rreth 25 pengje, mes klientëve dhe stafit, ndërsa autorët, të armatosur dhe me fytyra të mbuluara, kërcënuan edhe drejtorin sapo konstatuan praninë e policisë jashtë.

Atmosfera ishte e tensionuar, ndërsa qytetarë të shumtë u grumbulluan në distancë, të tërhequr nga skena që i ngjante një filmi. Pengjet u mbajtën për afro një orë, nga ora 12:30 deri në 13:30, të mbyllur në një hapësirë të vogël nën kërcënimin e armëve. Gjatë kësaj kohe nuk pati negociata dhe as sinjale dorëzimi.

Grabitësit vepruan me një plan të mirëorganizuar, duke synuar kasafortat dhe duke hapur dhjetëra prej tyre. Për pengjet, çdo minutë ishte e mbushur me ankth dhe pasiguri, ndërsa disa prej tyre shfaqën probleme shëndetësore për shkak të stresit.

Jashtë bankës, forcat e rendit ngritën postblloqe dhe forcuan masat e sigurisë, ndërsa pritej ndërhyrja e njësisë speciale. Dyshimet u shtuan se autorët mund të përdornin tunele nëntokësore për arratisje, një metodë e njohur në grabitje të sofistikuara.

Rreth orës 13:30, ndërhyrja e zjarrfikësve dhe policisë bëri të mundur nxjerrjen e pengjeve një nga një. Ata dolën të tronditur, por fatmirësisht pa lëndime serioze. Gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në vend për shkak të shokut.

Përgjigjja erdhi në orët e pasdites, kur njësia speciale ndërhyri në ambientet e bankës: autorët ishin zhdukur. Ata kishin hyrë dhe dalë përmes një vrime në dysheme, e lidhur me një tunel nëntokësor, që dyshohet se komunikon me rrjetin e kanalizimeve.

Dhjetëra kasaforta u gjetën të hapura, ndërsa dëmi financiar mbetet ende i paqartë. Hetuesit po analizojnë edhe një automjet me targa të përkohshme, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët, ndërkohë që dëshmitë e pengjeve po mblidhen për të identifikuar grabitësit, të cilët dyshohet të jenë shtetas italianë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit