Irani ka njoftuar rihapjen e plotë të Ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare, një zhvillim i rëndësishëm që vjen në kuadër të armëpushimit aktual në rajon.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se kjo rrugë jetike për tregtinë globale është “plotësisht e hapur” për pjesën e mbetur të armëpushimit, duke shtuar se lëvizja e anijeve do të bëhet përmes një korridori të koordinuar për arsye sigurie.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si një nga pikat më strategjike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë. Çdo tension në këtë zonë ndikon menjëherë në tregjet ndërkombëtare.
Pas këtij njoftimi, tregjet reaguan menjëherë: bursat shënuan rritje, ndërsa çmimi i naftës pësoi rënie, megjithëse mbeten ende pikëpyetje për sigurinë në zonë, përfshirë rrezikun e minave detare.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti vendimin e Teheranit dhe falënderoi publikisht Iranin, por theksoi se bllokada e SHBA-ve ndaj porteve iraniane “do të mbetet plotësisht në fuqi” deri në arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes palëve.
Trump u shpreh optimist se negociatat mund të ecin shpejt, duke lënë të kuptohet se zhvillimet e fundit mund të hapin rrugën për një marrëveshje të mundshme në një të ardhme të afërt.
Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, por situata mbetet e brishtë dhe çdo lëvizje e mëtejshme pritet të ndiqet nga afër nga komuniteti ndërkombëtar.