Sipas hetimeve, grupi kriminal ka operuar gjatë periudhës 2019–2021, duke u identifikuar të paktën 8 episode trafikimi të sasive të mëdha të drogës nga Amerika Latine drejt Holandës dhe Belgjikës.
SPAK bën me dije se në disa raste ngarkesat janë sekuestruar nga autoritetet europiane, ndërsa në raste të tjera dyshohet se një pjesë e tyre ka arritur të kalojë. Kokaina, sipas hetimeve, fshihej në kontejnerë me produkte ushqimore si fruta të ngrira, peshk dhe banane, me qëllim shmangien e kontrolleve doganore.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë edhe sekuestrimin e pasurive të lidhura me Jetmir Pepën, përfshirë miliona euro asete, kompaninë “Pepa Group”, një HEC, hotele, apartamente dhe sipërfaqe toke.
Emri i Pepës është përmendur edhe më herët në kronikën e zezë, pasi në janar 2025 është shpallur në kërkim për një incident me armë gjatë një koncerti. Po ashtu, në gusht 2024, ai është bërë pjesë e një tjetër ngjarjeje të bujshme, ku nëna e djalit të tij, Mariela Berisha, është përfshirë në një konflikt dhe dhunë ndaj Klea Prengës, në bashkëpunim me të motrën Antonela Berisha.