Një histori përkushtimi që prek zemrat vjen nga fshati Marjan i Maliqit, ku mësuesi Alban Bejleri ndërroi jetë pas një ataku kardiak, duke lënë pas një shembull të rrallë sakrifice në shërbim të dijes. Çdo ditë, ai përshkonte në këmbë 7 deri në 8 kilometra në terren të vështirë, vetëm për të mbërritur në shkollë dhe për të hapur derën e dijes për nxënësit e tij.
Prej pesë vitesh, Bejleri kishte zgjedhur të jetonte në këtë zonë të thellë, duke iu përkushtuar misionit të tij fisnik edhe pse në bankat e klasës e prisnin vetëm dy nxënës. Për të, numrat nuk kishin rëndësi çdo fëmijë meritonte arsim dhe vëmendje, dhe ai ishte i vendosur ta garantonte këtë me çdo kusht. Me mbi tre dekada eksperiencë në arsim, ai mbeti deri në fund një figurë frymëzuese e mësuesit që nuk dorëzohet.
Largimi i tij ka sjellë dhimbje të thellë tek familjarët dhe kolegët, por edhe zemërim për kushtet në të cilat punojnë mësuesit në zonat rurale. Historia e Alban Bejlerit nuk është vetëm një lajm i trishtë, por një thirrje e fortë për më shumë vëmendje, mbështetje dhe dinjitet për ata që mbajnë gjallë arsimin edhe në skajet më të largëta të vendit.