“Bënte 7 km rrugë në këmbë për të mësuar 2 nxënës”, familjarët të tronditur nga vdekja e mësuesit: Politika e transferoi larg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.04.2026, 11:54

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku mësuesi 55-vjeçar Alban Bejleri ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti.

Familjarët e tij e përshkruajnë si një njeri të përkushtuar, punëtor dhe besimtar. Xhaxhai i viktimës, Besim Bejleri, tregon se Albani përshkonte çdo ditë rreth 7 kilometra rrugë në këmbë për të shkuar në punë, ku shpesh mësonte vetëm dy nxënës, duke e konsideruar këtë një sakrificë të madhe. Ai i ka bërë gjithashtu thirrje institucioneve dhe politikëbërësve që mësuesit me probleme shëndetësore të angazhohen pranë familjeve të tyre.

Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë.

Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani.

Bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve, mendoni për këta njerëz. Ishte njeri me dy universitete dhe kishte qenë pa punë. Kishte 5-6 vite në punë. Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës”, shprehet ai.

Ndërkohë, kushëriri i tij, Muhamer Meka, shprehet se mësuesi vuante nga diabeti, por pavarësisht gjendjes shëndetësore kishte vijuar punën për rreth 30 vite në fshatin Marjan.

Ishte njeri i mirë, djalë i rregullt. Ishte mësues prej 30 vitesh. Ka punuar në Bilisht më parë dhe më pas e çuan në Marjan. Për arsye politike e transferuan atje. E bënte çdo ditë rrugën. Kishte dy fëmijë dhe vuante nga diabeti”, shprehet kushëriri.

Ndërsa shoku i viktimës, Myfti Staro, u shpreh se ai ishte transferuar në fshatin Marjan për arsye politike.

“E transferuan për arsye politike, ishte i djathtë. Kishte shumë vite në arsim. Bënte rreth 8 km në këmbë; linte makinën dhe vazhdonte në këmbë drejt fshatit”, u shpreh ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit